Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e vendosjes së dy flamujve në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan, ku njëri prej tyre kishte mbishkrimin “UÇK”, ndërsa tjetri ishte flamur i Shqipërisë. Rasti është raportuar në Stacionin Policor në Lipjan më 10 gusht, rreth orës 21:00, nga përgjegjësi/mbikëqyrësi i kishës. Policia ka bërë të ditur se për rastin janë njoftuar prokurorët kujdestarë të Departamentit Special dhe Departamentit të Përgjithshëm. Në komunikatën për media, Policia e Kosovës ka theksuar se ka dosje të veçanta për çdo objekt të trashëgimisë kulturore fetare, të cilat përdoren për planifikimin e masave të sigurisë dhe parandalimin e incidenteve. Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe objektet e trashëgimisë kulturore fetare, pa dallim.