Kjo e bën të domosdoshme analizën e një hipoteze të re: a po kalon Shqipëria gradualisht nga një vend emigracioni në një vend imigracioni? Në këtë pikë, Shqipëria mund të fillojë të përjetojë një transformim të rëndësishëm: nga një vend që eksporton fuqi punëtore në një vend që fillon ta importojë atë. Shqipëria fillon të kalojë nga një bilanc migrator negativ drejt një bilanci më të ekuilibruar dhe, më pas, potencialisht pozitiv. Në të njëjtën kohë, pjesë të konsiderueshme të zonave rurale dhe periferike mund të vazhdojnë të humbasin popullsi. Kështu mund të shfaqet një paradoks i ri:Shqipëria mund të tërheqë banorë nga jashtë dhe, njëkohësisht, të vazhdojë të zbrazë pjesë të territorit të saj nga brenda.