Dhe Zelenski e di shumë mirë se Ukraina ka shpallur pavarësinë nga BRSS-ja në mënyrë të njëanshme, mu si edhe Kosova nga ish-Jugosllavia. Pra, mbështetja e qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës nga Zelenski do të thotë, në logjikën politike të këtij qëndrimi, mbështetje e politikës ruse në Ukrainë. E njëjta gjë vlen edhe për trojet shqiptare të pushtuara nga Serbia në Maqedoni, në Luginë dhe në Mal të Zi. Si do të jetonin shqiptarët në një Serbi të tillë, mund të shihet nga mënyra se si jetojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Paradoksi është se Zelenski lufton për pavarësinë e Ukrainës, por në Beograd mbron një qëndrim që ia mohon Kosovës të drejtën për të mos qenë pjesë e një shteti kolonial, që ushtroi gjenocid.