Sipas KASH-it, çdo ndërhyrje e njëanshme që synon të ndryshojë rrjedhën natyrore të lumit dhe që shkakton pasojat ndërkufitare, përbën një veprim të papërgjegjshëm që bie ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Në deklaratë nënvizohet se e drejta ndërkombëtare e ujërave ndërkufitare mbështetet në përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të burimeve të përbashkëta, si dhe në detyrimin e shteteve për të parandaluar dëmet ndaj palëve të tjera përmes bashkëpunimit, njoftimit dhe konsultimit paraprak. Çdo ndërhyrje e njëanshme që mund të ndryshojë rrjedhën natyrore të lumit dhe të shkaktojë pasoja të konsiderueshme ndërkufitare duhet të trajtohet me përgjegjësinë më të lartë dhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. KASH e konsideron të papranueshme përdorimin e ujit dhe të burimeve të tjera jetike si instrument presioni politik. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë rithekson se uji është një burim jetik që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë popujt.