“Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, u arrit në përfundimin se nuk ka asnjë mundësi për të siguruar lejet e nevojshme për këto projekte në SHBA në të ardhmen e parashikueshme”, thuhet në deklaratën e RWE. Kompania do të heqë dorë nga koncesionet për parqet e erës në brigjet e Kalifornisë, Luizianës dhe New York Bight. Megjithatë, RWE planifikon të investojë rreth 17 miliardë euro në SHBA gjatë gjashtë viteve të ardhshme për të zgjeruar kapacitetet e saj të prodhimit të energjisë. Marrëveshja është pjesë e politikës së administratës Trump për të ndalur zhvillimin e projekteve të energjisë së erës në det të hapur dhe për të favorizuar investimet në naftë dhe gaz. Trump ka qenë prej kohësh kritik ndaj turbinave të erës, të cilat i ka cilësuar si “të shëmtuara” dhe të dëmshme për jetën e egër.