Protesta e banorëve të Divjakës ka hyrë sot në ditën e nëntë, ndërsa qytetarët vijojnë të mblidhen çdo mbrëmje në shesh kundër projektit të reformës së re territoriale. Kërkesa kryesore e protestuesve është që Bashkia e Divjakës të mos shkrihet dhe të mos i bashkohet Lushnjës, siç parashikohet në projektin e reformës. Banorët argumentojnë se Divjaka i plotëson parametrat historikë, gjeografikë dhe ekonomikë për të vijuar të funksionojë si bashki më vete. Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre lidhet me ruajtjen e identitetit të Divjakës si qytet, të cilin protestuesit thonë se do ta humbnin në rast të bashkimit me Lushnjën. Në përfundim të protestës, qytetarët kanë marshuar si çdo mbrëmje në rrugët kryesore të qytetit, duke u kujdesur që të mos pengohet qarkullimi i lirë i automjeteve dhe qytetarëve.