Një 73-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Krujës, pasi dyshohet se ndezi zjarr për të djegur bar pranë banesës së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi drejt malit të Krujës, duke rrezikuar edhe zonat e banuara. Ngjarja ndodhi më 8 gusht në lagjen “Abaze”, ku shtetasi Qemal Berhami, 73 vjeç, banues në këtë zonë, dyshohet se kishte ndezur zjarr për djegien e një sasie bari në afërsi të banesës. Për shkak të erës së fortë, flakët u përhapën në drejtim të malit, duke krijuar një situatë të rrezikshme për banesat dhe banorët e zonës. Ndërkohë, operacioni për shuarjen e flakëve vijon në terren, me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri, me synim izolimin e vatrave dhe ndalimin e përhapjes së zjarrit drejt zonave të banuara. Policia u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin ndezjen e zjarreve për djegien e barërave apo mbetjeve, pasi një veprim i tillë mund të shkaktojë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.