Sot përfundon afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, afat që buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu vlerëson se nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet as sot, Kushtetuta nuk parasheh ndonjë masë ndëshkuese, ndërsa procesi mund të vazhdojë deri në arritjen e konstituimit të legjislativit.Kryeziu në një prononcim për Telegrafin tha se afati 30-ditor konsiderohet një afat i arsyeshëm për konstituimin e Kuvendit, por theksoi se mungesa e konstituimit nuk shoqërohet me ndonjë sanksion kushtetues.“Nëse nuk thirret edhe sot seanca, nuk ka ndonjë masë ndëshkuese kushtetuese që mund të zbatohet. Edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e bën të qartë se Kuvendi duhet të konstituohet patjetër, pasi ky është obligim kushtetues, ligjor, moral dhe etik i deputetëve”, u shpreh ai. Baraliu: Ka shpresa për marrëveshje LVV-LDK, afati për konstituimin e Kuvendit përfundon më 7 gusht I pyetur nëse kjo situatë i ngjan ngërçit të kaluar, kur konstituimi i Kuvendit zgjati me muaj, Kryeziu tha se po përsëritet i njëjti skenar.“Po, riciklohen situatat. Kjo është një situatë që nuk ka ndodhur më parë në historinë parlamentare të Republikës së Kosovës. Ka vakuume kushtetuese dhe mangësi edhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit”, tha ai.Sipas Kryeziut, deputetët janë të obliguar që ta vazhdojnë seancën konstituive çdo 48 orë, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, dhe ky proces duhet të vazhdojë derisa të bëhet konstituimi i plotë i legjislativit.“Ata kanë detyrim që ta vazhdojnë seancën çdo 48 orë. Kjo mund të zgjasë derisa të konstituohet Kuvendi”, theksoi ai.Kryeziu paralajmëroi se zvarritja e konstituimit cenon funksionimin e rendit kushtetues dhe juridik të vendit. Kurti: Pa marrëveshje për presidentin, konstituimi i Kuvendit do të çonte vendin në zgjedhje të reja “Nëse Kuvendi nuk konstituohet, cenohet rendi juridik dhe kushtetues i Republikës së Kosovës. Kjo krijon një përgjegjësi që duhet të trajtohet edhe nga institucionet e tjera të shtetit”, deklaroi ish-gjyqtari.Në fund, ai nënvizoi se pas kalimit të afatit 30-ditor nuk ekziston një afat i ri kushtetues që detyron konstituimin e Kuvendit.“Afati 30-ditor përfundon sot. Pas kësaj, procesi mund të zgjasë deri në momentin kur deputetët arrijnë ta konstituojnë Kuvendin, pasi Kushtetuta nuk përcakton një afat tjetër detyrues”, përfundoi Kryeziu.Ndryshe, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e cila nisi të enjten nuk u konsistua pasi procesi u ndërpre para zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.Si pikë e parë e rendit të ditës u themelua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, ndërsa pas miratimit të raportit të këtij komisioni, deputetët dhanë betimin solemn.Pas përfundimit të kësaj pike të rendit të ditës, seanca kaloi në procedurën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.Por, Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqiti emrin e kandidatit për këtë post, ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i kësaj partie kërkoi kohë shtesë për konsultime dhe arritjen e një marrëveshjeje politike me subjektet e tjera parlamentare lidhur me presidentin.Në mungesë të një propozimi për kryetar të Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi ndërprerjen e punimeve, pa caktuar një datë për vazhdimin e tyre. /Telegrafi/