Festivali tradicional i perime-kulturës, “Chillifestë 2026”, nis sot (7 gusht) në Krushë të Madhe të Rahovecit, duke sjellë për të 12-in vit me radhë tri ditë të mbushura me aktivitete kulturore, argëtuese dhe promovuese të bujqësisë. Hapja e festivalit do të bëhet me një vizitë në fermën “Korr e Ha” dhe me organizimin e “Karnavalit të Perimeve”, ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë përgjatë datave 7, 8 dhe 9 gusht. Sipas organizatorëve, edicioni i sivjetmë do të ketë në fokus promovimin e prodhimtarisë vendore dhe kulturave bujqësore përmes aktiviteteve tradicionale, autoktone dhe unike, si dhe garave të ndryshme kushtuar perimeve dhe produkteve bujqësore. Në skenën e “Chillifestës” do të performojnë artistë të njohur të estradës shqiptare, përfshirë TNT, Fisnikët, Ramadan Krasniqi – Dani, ILO, Bono, Mossi, Rina Balaj dhe emra të tjerë. Festivali “Chillifestë” konsiderohet një nga ngjarjet më të njohura që promovon bujqësinë, kulturën dhe turizmin lokal në Krushë të Madhe.