Prokuroria Themelore Publike Shkup ka paraqitur ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilin në rastin “Talir 2”, që lidhet me ndërtimin e selisë së OBRM-PDUKM‑së, u shpall aktgjykim lirues. Nga Prokuroria informuan se prokurori kompetent e ka pranuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe brenda afatit ligjor ka paraqitur ankesë. Para më pak se një muaji, Gjykata Penale solli aktgjykim lirues për ish‑kryeministrin Nikola Gruevski, i cili ishte i akuzuar në rastin “Talir 2” për ndërtimin e paligjshëm të selisë së OBRM-PDUKM-së. Sipas afateve aktuale, lënda parashkruhet në fund të gushtit, që do të thotë se nuk pritet epilog tjetër gjyqësor, por konstatim i parashkrimit. Ndërkohë, për shkak të parashkrimit të veprës, ndjekja penale ndaj Kiril Bozhinovskit u ndërpre, ndërsa procedura ndaj Gruevskit dhe partisë politike vazhdoi.