Një tragjedi ka tronditur një zonë detare në Malia të Kretës, ku një 42-vjeçare nga Holanda humbi jetën pasi ra nga një varkë dhe u nxor pa shenja jete. Nuk dihet nëse gruaja kishte hyrë në ujë për të notuar apo nëse kishte humbur ekuilibrin dhe ishte rrëzuar aksidentalisht nga varka. Personat e parë që mbërritën në vendngjarje e gjetën 42-vjeçaren pa ndjenja, ndërsa mbahej në krahë nga shoqja e saj. Shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet nga autopsia, e cila do të tregojë nëse gruaja humbi jetën nga mbytja apo nga një problem shëndetësor. Burime nga autoritetet portuale sqaruan se për varka deri në 30 kuaj fuqi nuk kërkohet licencë drejtimi, ndaj shumë turistë i marrin me qira për udhëtime të shkurtra në det.