Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami deklaroi sot para gazetarëve se, nëse LDK-ja do të merrte pozitën e presidentit do të arrihej një balancë e pushteteve. Bajrami në një deklaratë për media tha se atëherë do ta konsideronin me shumë kuriozitet ofertën e lëvizjes Vetëvendosje për ndarje pushteti. Ajo tha se është kundër shkuarjes prapë në zgjedhje dhe se është pro një marrëveshjeje të mirë për Kosovën, rrjedhimisht edhe për LDK-në. Gjatë deklarimit, Bajrami potencoi se nuk do e pranonin pozitën e kryeministrit nëse do t'jua ofrojë Kurti, ndërsa mohoi se ka informacione nëse do të ketë edhe sot takim mes tyre dhe Kurtit. Ndërsa, sa i përket emrit për president të propozuar nga ky subjekt politik, Bajrami u shpreh se kryetari i partisë do të kthehet në grupin parlamentar dhe të shohë se kush nga kandidatët mund t’i marr votat e mjaftueshme.