Përfaqësuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj dhe Betim Musliu, vizituan sot Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku u pritën nga kryetari Hysni Gucati, nënkryetarët Gazmend Syla dhe Fatmir Sopi, si dhe këshilltari ligjor i OVL-së së UÇK-së, avokati Gafurr Elshani. Në komunikatën për media theksohet se palët shprehën shqetësimin lidhur me moszbatimin nga Departamenti i Pensioneve, në kuadër të Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), të aktgjykimeve lidhur me pensionet e kategorive të dala nga lufta. IKD-ja kërkoi nga OVL e UÇK-së që ta përkrahë këtë nismë, qëllimi parësor i së cilës është promovimi i parimeve të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. “Në takim u diskutua dhe u arrit pajtim i dyanshëm edhe lidhur me mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Palët u pajtuan se këto vlera mund dhe duhet të ruhen e të respektohen përmes inicimit dhe miratimit të Ligjit për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së”, u tha në njoftim.