Pas tetëmbëdhjetë vitesh shtet, një retorikë e tillë nuk dëshmon forcë, por varfëri të mendimit politik dhe moral. Edhe më e rëndë bëhet kur një gjuhë e tillë shpërfaqet pikërisht në kohën kur po zhvillohen gërmimet për varrezat masive të viktimave të luftës. Ky duhej të ishte moment reflektimi, lutjeje dhe nderimi për të zhdukurit me dhunë, për familjet që ende presin drejtësi dhe për plagët që vazhdojnë të mbeten të hapura. Në vend të kësaj, hapet debat për “reciprocitetin e konsullatave”, sikur tragjedia njerëzore të mund të relativizohet nga kalkulimet e ditës. Dinjiteti i shtetit nuk matet me parulla, as me thirrje emocionale, por me respektin që tregon për të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën kolektive.