Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka iniciuar konkurs ndërkombëtar për projektimin e zgjerimit dhe riorganizimit të Varrezave të Kryeqytetit.Rama tha se ky projekt synon krijimin e një hapësire dinjitoze për qytetarët, duke marrë parasysh përkatësitë dhe nevojat e komuniteteve të ndryshme.“Varrezat e Kryeqytetit janë pasqyrë e dinjitetit të një qyteti dhe e respektit që ai tregon për secilin qytetar”, ka shkruar Rama.Ai theksoi se përmes këtij projekti synohet krijimi i hapësirave që respektojnë të gjitha besimet fetare.“Prandaj, Kryeqyteti ka iniciuar projektin për zgjerimin dhe riorganizimin e Varrezave të Kryeqytetit, një projekt që siguron hapësirë dinjitoze për të gjithë qytetarët, duke respektuar të gjitha besimet fetare dhe nevojat e secilit komunitet”, ka deklaruar Rama.Nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me afatet, lokacionin apo kriteret e konkursit ndërkombëtar. /Telegrafi/