Ka nisur shtrimi i shtresës së re të asfaltit në rrugën “Ilir Konushevci”, në segmentin pranë Xhamisë së Llapit në kryeqytet. Në terren shihet makineria e rëndë dhe punëtorët e angazhuar, teksa po kryhen punimet përfundimtare për finalizimin e kësaj rruge mjaft të frekuentuar. Ky segment rrugor ishte bllokuar për qarkullim që nga data 22 korrik, kur Komuna e Prishtinës njoftoi mbylljen e tij për pesë ditë për shkak të punimeve infrastrukturore. Më 28 korrik, disa qytetarë dhe afaristë bllokuan punimet duke vendosur makineri midis rrugës dhe duke dorëzuar një peticion me rreth 150 nënshkrime. Shkak për këtë protestë u bë plani i komunës për ngushtimin e rrugës nga katër korsi në tri (një korsi hyrëse nga Podujeva dhe dy dalëse nga Prishtina).