Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka deklaruar se në territorin e vendit nuk do të ndërtohen qendra për pranimin e migrantëve të paligjshëm, sic pritet të ndodh në Shqipëri, pavarësisht raportimeve se Podgorica është në listën paraprake të vendeve ku Bashkimi Evropian mund të hapë qendra të tilla. Në një postim në rrjetin social X, Spajiq tha se Mali i Zi nuk ka zhvilluar negociata për ngritjen e këtyre qendrave dhe se qeveria nuk ka marrë asnjë iniciativë zyrtare për hapjen e tyre. Deklarata e tij vjen pasi mediat italiane, duke cituar burime pranë qeverisë dhe diplomacisë italiane, raportuan se Mali i Zi është përfshirë në një listë paraprake të shteteve ku BE-ja mund të krijojë qendra të reja për pritjen dhe riatdhesimin e migrantëve të parregullt. Sipas këtyre raportimeve, ministri i Brendshëm në Romë, Matteo Piantedosi, pritet ta paraqesë planin para homologëve të tij në një mbledhje të jashtëzakonshme të vendeve anëtare të BE-së. Përveç Malit të Zi, në listën e vendeve potenciale për ndërtimin e këtyre qendrave përmenden edhe Tunizia, Libia, Egjipti, Ruanda, Gana, Senegali, Mauritania, Uganda, Uzbekistani, Armenia dhe Etiopia.