Pas rasteve të fundit të dhunës në Gostivar dhe festimeve të dasmave me të shtëna me armë zjarri, Partia Liberale Demokratike (PLD) propozon hapjen e qendrave familjare në çdo komunë. Në një video postim në rrjetet sociale, kryetarja dhe deputetja e PLD-së, Monika Zajkova, dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të partisë, Boban Jankoski, bëjnë thirrje për veprime të shpejta për të zvogëluar rastet e dhunës nga bashkëmoshatarët. “PLD propozon krijimin e qendrave familjare në çdo komunë. Parandalimi nuk është shpenzim, parandalimi është një investim në të ardhmen e Maqedonisë”, thotë Zajkova. Jankoski thekson në video se po investojmë shumë pak në parandalim dhe po presim shumë gjatë që problemi të bëhet serioz.