Rreth orës 09:00, punonjësit kanë lënë zyrat e tyre dhe janë mbledhur masivisht përpara godinës së bashkisë. Ata kanë shprehur kundërshtimin e ashpër ndaj planit që, sipas tyre, rrezikon t’i heqë Rrogozhinës statusin e saj të pavarur dhe identitetin administrativ të ndërtuar ndër vite. Protestuesit theksuan se Bashkia Rrogozhinë plotëson të gjitha kriteret e duhura për të funksionuar si njësi më vete, si për nga numri i banorëve, ashtu edhe për kapacitetet njerëzore e financiare. Në përfundim të protestës, ata lëshuan një apel të fortë drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Presidentit Bajram Begaj dhe Komisionit për Reformën Territoriale, duke u kërkuar që të rishqyrtojnë këtë propozim dhe të mos miratojnë shkrirjen e Bashkisë Rrogozhinë. Duke kërkuar më shumë vëmendje dhe investime nga qeveria në vend të ndryshimeve administrative, punonjësit paralajmëruan se do të vijojnë përshkallëzimin e kundërshtimit të tyre nëse drafti do të ecë përpara.