None
SQ
“Asnjë objekt pa certifikatë” – Inspektorati i Prishtinës paralajmëron masa ndaj ndërtuesve
['Kemajl Berisha', 'Driton Gajraku', 'Muhamet Hajrullahu', 'Vipa Chips', 'Telegrafi Real Estate', 'Agnesa Saraçi', 'Nol Elshani', 'Eliza Hajzeri', 'Edonis Bytyqi']
Telegrafi
Drejtoria e Inspektoratit të Komunës së Prishtinës ka paralajmëruar investitorët, ndërtuesit dhe qytetarët se asnjë objekt nuk mund të vihet në përdorim pa përfundimin e Inspektimit Final dhe pajisjen me Certifikatë të Përdorimit.Sipas njoftimit, kjo kërkesë vlen për objektet individuale dhe kolektive të banimit, objektet banesore-afariste, afariste, industriale, publike, si dhe objektet e tjera që përfshihen në kategoritë përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.Inspektorati ka bërë të ditur se investitorët do të njoftohen individualisht përmes Urdhëresës Inspektuese që të mos e vënë objektin në përdorim, të mos ua dorëzojnë banesat apo lokalet shfrytëzuesve dhe të mos fillojnë aktivitetin ekonomik pa përfunduar procedura e Inspektimit Final.Po ashtu, qytetarëve u është bërë thirrje që të mos pranojnë në dorëzim banesa, lokale afariste apo objekte të tjera pa Certifikatë të Përdorimit.Në rast të shkeljeve, Drejtoria e Inspektoratit ka paralajmëruar masa, përfshirë ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të objektit, lirimin e tij deri në pajisjen me certifikatë, gjoba administrative dhe inicimin e procedurave të tjera ligjore.“Siguria nuk është formalitet”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Inspektoratit, e cila thekson se Inspektimi Final dhe Certifikata e Përdorimit shërbejnë për të verifikuar nëse objekti i plotëson kushtet ligjore, teknike dhe të sigurisë për përdorim. /Telegrafi/