Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 65-të, duke shënuar mbi dy muaj mobilizim të pandërprerë në rrugët e Tiranës. Edhe këtë mbrëmje, qytetarët pritet të mblidhen para godinës së Kryeministrisë për të vijuar protestën e përditshme, e cila, sipas organizatorëve, do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Për më shumë se dy muaj, tubimet janë shoqëruar me marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe me thirrje të vazhdueshme për ndryshim politik. Si çdo mbrëmje, edhe sot protesta pritet të nisë me fjalime para Kryeministrisë dhe të pasohet nga një marshim në rrugët e Tiranës. Organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi do të vijojë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, duke theksuar se protesta nuk do të ndalet.