Në një analizë të publikuar në Facebook, drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka vënë në dukje se strategjia hibride e Serbisë projekton në mënyrë paralele viktimizim dhe heroizëm, duke synuar në të njëjtën kohë manipulimin e opinionit dhe mobilizimin nacionalist. Megjithatë, sipas tij, problemi sot është më kompleks për shkak të transformimit të mjedisit informativ nga teknologjitë digjitale. Sipas Fetoshit, pikërisht këtu qëndron rreziku i interpretimeve që në shikim të parë mund të duken absurde: mjedisi digjital ka mundësuar shumëfishim e përsëritje pa fund, duke krijuar disproporcion të madh në raportin ndërmjet dezinformimit dhe të vërtetës. Sipas tij, përgjigjja ndaj kërcënimeve të tilla kërkon kapacitete të koordinuara kundër “kapjes epistemike”, komunikim strategjik dhe investime afatgjata në edukimin medial të brezave. “Vetëm duke zhvilluar mekanizma mbrojtës ndaj së vërtetës, mund të garantohet qëndrueshmëria demokratike dhe të evitohen grackat e manipulimit në epokën e luftës hibride”, përfundon Fetoshi.