Kryeshefi Ekzekutiv i KRU "Gjakova" Hasan Krasniqi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës një vizitë pune në Rahovec, ku ka inspektuar nga afër Stacionet e Pompimit 1 dhe 2. Gjatë vizitës, ai është informuar për procesin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe gjendjen aktuale të rrjetit në këtë komunë. Sipas të dhënave të prezantuara, Rahoveci furnizohet me sasi të mjaftueshme të ujit të pijshëm, ndërsa reduktimet që aplikohen pas orës 23:00 lidhen kryesisht me keqpërdorimin e madh të ujit. Nga vlerësimet e bëra në terren rezulton se humbjet e ujit në Rahovec kanë tejkaluar 69 për qind. Sipas KRU "Gjakova", kjo situatë është pasojë e kombinimit të disa faktorëve, përfshirë keqpërdorimin e ujit, amortizimin e rrjetit të ujësjellësit dhe ekzistencën e kyçjeve ilegale.