Përfaqësuesit e Kolegjiumit të Drejtorëve të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, zyrtarët për barazi gjinore, përfaqësuesit e Qendrave për Punë Sociale (QPS) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i kanë drejtuar sot një letër Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, Ministrit në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti dhe Ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla Schwarz, duke kërkuar ndërmarrjen urgjente të masave për financimin e qëndrueshëm të shërbimeve sociale në Kosovë. Përmes letrës, kërkohet që Qeveria të rrisë financimin për shërbimet sociale me 3 milion euro shtesë për vit, përmes Grantit të Përgjithshëm, me qëllim forcimin e kapaciteteve të komunave dhe QPS për të ofruar shërbime cilësore dhe në përputhje me standardet ligjore. Përmes letrës, pjesëmarrësit në diskutim kërkojnë gjithashtu që shpërndarja e fondeve ndërmjet komunave të bazohet në një formulë të drejtë dhe transparente, e orientuar sipas nevojave reale të qytetarëve dhe në përputhje me parimet e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. Sipas tyre, një mekanizëm i tillë do të siguronte financim të dedikuar, të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për shërbimet sociale, duke shmangur konkurrimin e tyre me prioritetet e tjera komunale brenda Grantit të Përgjithshëm. Në letër theksohet se investimi në shërbimet sociale është investim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mirëqenien e qytetarëve dhe përmbushjen e obligimeve ligjore të Republikës së Kosovës.