Partia Socialiste ka dorëzuar nismën ligjore për reformën e re territoriale, e cila parashikon një riorganizim të thellë të pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Sipas projektligjit, 28 bashki do të konsolidohen në 13 bashki të reja. Modeli i ri ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm. Ndryshimi kryesor është krijimi i një niveli të ri organizimi vendor, të quajtur “Qyteti”, duke zëvendësuar skemën aktuale “Bashki – Njësi Administrative” me strukturën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”. Nëse miratohet, reforma do të krijojë një strukturë të re me 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.