Pas çështjeve të tjera, shoku Enver iu drejtua shokëve me pyetjen:- Ç’mendoni për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe ç’duhet të bëjmë ne? Shoku Spiro shfaqi mendimin se duhet të shprehemi me një artikull në mbrojtje të përpjekjeve të popullit të Kosovës për të drejtat e tyre dhe kundër masave shtypëse barbare të udhëheqjes jugosllave. Partia dhe shteti ynë duhet të shprehin qëndrimin e tyre publikisht për këto ngjarje, sepse ne mbajmë qëndrim flakë për flakë për ngjarje të rëndësishme kudo në botë, edhe në vende të largëta. Të vëmë pikat mbi i, ta shikojnë mirë që të gjithë qëndrimin e drejtë, parimor, konsekuent e të palëkundur të Partisë e të shtetit tonë. Ngjarjet që u zhvilluan në mars dhe ditët e para të prillit në Prishtinë e në vise të tjera të Kosovës, janë pozitive dhe kanë rëndësi të madhe.