Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET, në kuadër të misionit të tij për hulumtimin e aktiviteteve të prokurimit publik, monitorimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit publik, gjatë procesit të hulumtimit ka identifikuar përdorimin e diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga Qendra për Verifikimin e Aftësive Profesionale "AFTËSIMI" në Prizren. Me qëllim të verifikimit të statusit juridik dhe vlefshmërisë së këtyre dokumenteve, AVONET i është drejtuar me kërkesë zyrtare Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve (AKK), duke kërkuar sqarime lidhur me akreditimin, autorizimin dhe kompetencën ligjore të këtij subjekti për ofrimin e kualifikimeve profesionale dhe lëshimin e diplomave dhe certifikatave. Këto të dhëna zyrtare krijojne dyshime të arsyeshme lidhur me bazën ligjore për lëshimin e këtyre diplomave dhe certifikatave, si dhe me përdorimin e tyre në procedura zyrtare, përfshirë procedurat e prokurimit publik. Gjatë hulumtimit, AVONET ka identifikuar se, në një aktivitet të prokurimit publik, dokumente të tilla kanë qenë pjesë e dosjes së tenderit të një operatori ekonomik të shpallur fitues. Sipas dokumentacionit të administruar, këto diploma dhe certifikata janë paraqitur si dëshmi për përmbushjen e kritereve të kualifikimit profesional të përcaktuara në dosjen e tenderit dhe kanë shërbyer si bazë për vlerësimin dhe shpalljen e ofertës fituese nga autoriteti kontraktues.