Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që tronditi fshatin Domen të Postribës në Shkodër, ku një nënë 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur humbën jetën pasi banesa u përfshi nga flakët. Viktimat janë identifikuar si Bleona Çelaj, 24 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Mësohet se nëna me dy fëmijët sapo ishin kthyer nga Gjermania për të kaluar disa ditë në vendlindje. Dyshimet e para të hetuesve lidhen me një bombol gazi të gjetur në banesë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që shpërthimi i saj të ketë shkaktuar zjarrin. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes tragjike.