Mbi 1.500 të burgosur të dënuar me vdekje në burgun Ghezel Hesar, pranë Teheranit, kanë nisur një grevë masive urie në shenjë proteste kundër rritjes së ekzekutimeve në Iran. Disa prej tyre kanë shkuar edhe më tej, duke qepur buzët si simbol i revoltës ndaj autoriteteve. Sipas organizatave iraniane për të drejtat e njeriut, protesta nisi dy javë më parë, pasi gjashtë të dënuar për akuza të lidhura me trafikun e drogës u transferuan në izolim në pritje të ekzekutimit. Në videot e publikuara nga grupet e të drejtave të njeriut, të burgosurit shihen duke mbajtur pankarta me mbishkrimin “Jo Ekzekutimeve” dhe duke bërë thirrje: “Bëhuni zëri ynë”. Ndërkohë, familjarët e të dënuarve kanë protestuar jashtë burgut Ghezel Hesar në mbështetje të të afërmve të tyre, por sipas burimeve, tubimi është shpërndarë me forcë nga autoritetet iraniane.