Ishte mesnatë, por njeriu që tashmë mbante me vete gurin e rrufesë shihte në terrin e verbër të natës pa hënë e pa yje. Ai zemrën e ka të mirë e fluturon hipur mbi kalin e tij të bardhë maleve, duke luftuar të ligën, të keqen, biri im, ai e ka zemrën të bardhë. E liga s'ka çfarë t'i bëjë, se s'e mposht dot, s'e përul e s'e përgjunj dot, ai ka kokrrën e rrufesë. Mendja më shkoi tek legjenda e kalit të bardhë, që e shalon njeriu i veshur me një shark të bardhë, që mban gurin e rrufesë. Im bir prapë nga dritarja vështronte përjashta, mos shihte kalin e bardhë që e shalon njeriu që mban gurin e rrufesë.