Sipas vendimit, nga dita e hyrjes në fuqi, Kuvendi ka vetëm 12 ditë kohë për të përmbyllur procesin e zgjedhjes së strukturave të tij udhëheqëse. Gjykata ka obliguar të gjithë deputetët që të ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke vepruar në interes të shtetit. Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se “logjika kushtetuese është e qartë: nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit, ai shpërndahet dhe qytetarët shkojnë në zgjedhje brenda 45 ditëve. Nuk ka më justifikime për bllokada politike.”"Vendimi i Gjykatës i jep vendit një afat të qartë për të shmangur krizën politike: ose Kuvendi konstituohet shpejt, ose qytetarët do të vendosin përsëri në zgjedhje", tha Gashi. Partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë arritur pajtueshmëri për të çuar procesin përpara dhe për rrjedhojë Gjykata Kushtetuese është detyruar të dalë disa herë me aktgjykime.