Hamasi dhe grupe të tjera palestineze po e mirëpresin planin e Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe pritet t’ua paraqesin përgjigjen e tyre ndërmjetësve egjiptianë dhe kataranë të mërkurën, thanë burime për CBS . Ai kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe një numri të të burgosurve palestinezë në Izrael, rritjen e ndihmës humanitare dhe më pas transferimin e kontrollit të Gazës te një administratë kalimtare teknokratësh palestinezë. Sipas burimeve diplomatike, zyrtarët egjiptianë dhe të Katarit i kanë dorëzuar Hamasit një kopje të propozimit. Autoriteti Palestinez, në një deklaratë të transmetuar nga agjencia e lajmeve WAFA, shprehu mbështetje për planin, duke nënvizuar “rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara për të arritur paqen”. Në një deklaratë të përbashkët, ata theksuan besimin e tyre në aftësinë e Presidentit Trump për të “gjetur rrugën drejt paqes”, duke mirëpritur qëllimin e tij për të rindërtuar Gazën, për të parandaluar zhvendosjen e palestinezëve dhe për të bllokuar aneksimin e Bregut Perëndimor.