Kristjan Asllani ka përjetuar një situatë të pazakontë teksa ishte në rrugë drejt Turqisë për të finalizuar transferimin e tij te Bestiktasi. Sipas planit fillestar, Asllani do të udhëtonte mbrëmjen e së enjtes drejt Stambollit, ndërsa të premten ishte paraparë t’i nënshtrohej vizitave mjekësore përpara nënshkrimit zyrtar të kontratës. Megjithatë, një ngjarje e papritur në orët e vona të mbrëmjes ka ndryshuar axhendën e planifikuar. Klubi i Besiktasit ka konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar se fluturimi TK1876 nga Milano Malpensa për në Stamboll, në të cilin ndodhej Asllani, është anuluar për shkak të një problemi teknik. Pavarësisht këtij incidenti teknik, marrëveshja mes palëve mbetet e pandryshuar dhe pritet që transferimi i Asllanit te Besiktasi të zyrtarizohet sapo të tejkalohen problemet logjistike./Telegrafi/