Iu kishte dukur i ngjashëm me zërin që e kishte dëgjuar para do netëve në ëndërr, në atë ëndrrën e ëmbël ku iu kishte dëftuar Floçka. Kishte vërejtur mandej se skajet e atyre ishujve të vegjël të kaltër ishin të kuqërreme prej rrezeve të para të diellit. Të lehurit të tij iu kishin bashkuar edhe shumë të lehura të qenve të tjerë. Megjithatë, ishte edhe i kënaqur, madje edhe disi i lumtur, që Floçka, së paku, iu kishte dëftuar në ëndërr, që së paku e kishte parë në ëndërr tërë bukurinë e saj. Ishte, njëmend ishte i kënaqur që Floçka iu kishte dëftuar, që kishte parë sytë e saj magjikë, shikimet e tyre, ato shikime të syve të saj që me nxehtësinë e vet mund të të shkrijnë, të të shndërrojnë në flakadan, në shkëmb të bazalt.