Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) sot nënshkruan Memorandum për Bashkëpunim që vendoset një kornizë e qartë dhe afatgjatë për veprim të përbashkët në fushën e energjisë, efikasitetit të energjisë, burimeve të rinovueshme të energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. “Ky Memorandum paraqet një konfirmim të fortë të angazhimit tonë për një tranzicion modern, të qëndrueshëm dhe të drejtë të energjisë. Përmes partneritetit me UNDP-në, marrim ekspertizë dhe mbështetje shtesë për krijimin dhe zbatimin e politikave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët, ekonominë dhe mjedisin”, deklaroi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska. Memorandumi parashikon aktivitete të përbashkëta në zhvillimin e sektorit të energjisë, menaxhimin e minierave dhe burimeve minerale, uljen e emetimeve të gazrave serrë përmes përdorimit të shtuar të burimeve të rinovueshme dhe masave të efikasitetit të energjisë, si dhe mbështetje në përpunimin dhe zbatimin e strategjive kombëtare, legjislacionit dhe planeve të veprimit në fushën e energjetikës. Memorandumi është lidhur për një periudhë katërvjeçare, me mundësi për vazhdim, dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Energjetikës dhe UNDP-së drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të sigurt energjetike për Maqedoninë e Veriut.